
Franca e mbylli me zhgënjim Europianin, teksa u eliminua nga Zvicra në fazën e 1/8-ve. Skuadra e Deschamps shihet si favoritja kryesore për të triumfuar në këtë Europian, pasi vinin si kampionët e botës. Megjithatë ajo që treguan lojtarët në fushë, ishte shumë larg pritshmërive. Menjëherë pas eliminimit, në media nisi të flitej shumë për një shkarkim të mundshëm të trajnerit aktual.
Për t’i shuar këto zëra ka menduar presidenti i Federatës Franceze, Noël Le Graë. Ky i fundit në një prononcim për “Le Figaro”, ka konfirmuar se Deschamps do të jetë në stolin e Francës edhe në Botërorin e Katarit, që do të zhvillohet vitin tjetër.
“Deschamps do të jetë trajner i Francës edhe për Botërorin. Unë kisha një takim me të dhe gjithçka u vendos për 3 minuta. Vullneti i tij për të vazhduar këtu është shumë i madh, njëjtë edhe për mua. Nuk kemi pasur debate se çfarë do bëjmë. Unë kam respekt për të dhe njësoj mendoj se ka edhe ai për ne”, u shpreh Graë.



