Opinionisti Edmond Muhametaj, i quan si zhgënjyese dhe amatoreske, paraqitjet e skuadrave shqiptare në Europë.
Për humbjen e Tiranës me Dudelange, Muhametaj tha se bardheblutë u mposhtën nga një skuadër thuajse amatore, duke shtuar se kundërshtarë më të lehtë se nga Luksemburg, nuk mund të gjenin dot.
Shkojmë në Europë me paraqitje amatoreske. UEFA “zemërgjerë” do thoja, për kundërshtarët e skuadrave shqiptare. Kemi treguar paraqitje zhgënjyese në Europë. Prtishëmritë i kisha të tjera, qoftë për Tiranën apo edhe për Laçin.
Partizani mori rezultatin, por për lojën, kam rezerva të mëdha. Tirana është skuadra kampione dhe pritshmëritë janë të mëdha. Champions League, është oksigjen për skuadrat shqiptare. Tirana e shpërdoron, duke u mposhtur nga një skuadër thuajse amatore. Luajtën në një fushë, ku ishte si e Këlcyrës dhe gjuajtjen e parë e bënë në minutën e 91. Janë skuadrat më të dobëta që ka Europa.
E njëjta gjë edhe me Laçin. Unë gjithmonë i kam mbështetur, por dje, disa lojtarë të kurbinasve, ecnin në fushë. Nuk lexova një shkrim analitik nga gazetarët shqiptarë. Ne po bëjmë gjyqet e ndeshjeve të para. Do uroja me gjithë zemër, që Tirana në ndeshjen jo vetëm të fitojë, por të fitojë me goleadë. Çfarë do i themi fëmijëve në të ardhmen, që na mposhti Dudelange nga Luksemburg?! Si nuk iu vjen keq për presidentin dhe për ata tifozë që shkuan nga Tirana, për t’i mbështetur.
Për Partizanin, Muhametaj tha se minutat e fundit ishin dramatike, pavarësisht fitores së të kuqve.
Partizani për 80 minuta e interpretuan shumë mirë. Kishin mundësi edhe për të shënuar. Këta që afrohen në verë, në vend të përmirësojnë skuadrën, luajnë më keq se lojtarët që janë. 10 minutat e fundit të Partizanit ishin dramatike. Shpresojmë që Partizani ta kalojë këtë tur dhe më pas shkalla e vështirësisë do të rritet.
Ne nuk krijojmë dot traditë. Fati sivjet na buzëqeshi në short. Pse i vendosim në diskutim edhe këto skuadra të dobëta?! Duhet të krijojmë një bindje, që skuadrat e këtij kalibri, nuk duhet t’i diskutojmë fare.



