Mbrojtësi, Berat Gjimshiti, ka dalë në konferencë për shtyp, në prag të sfidës miqësore, që Shqipëria do të luajë ditën e nesërme ndaj Gjeorgjisë.
Ai tha se do të jetë një ndeshje ndryshe nga ajo kundër Spanjës, ndërsa nuk i kurseu vlerësimet për kundërshtarin, për të cilët tha se vrapojnë shumë dhe mbrohen mirë.
Gjeorgjia? Edhe me këtë ndeshje që bëmë kundër Spanjës, besoj se tifozët e kanë parë që lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë dhe besoj se do jetë një ndeshje ndryshe, sepse kualiteti teknik nuk është aq i lartë sa i Spanjës, por prapë është një ekip që vrapon shumë dhe mbrohet mirë. Por besoj që ndeshja do të jetë ndryshe, sepse do të kemi edhe ne më shumë raste për të qenë ofensivë.
Gjimshiti iu kthye edhe ndeshjes së humbur ndaj Spanjës, ku tha se lojtarët pas sfidës ishin të mërzitur, por shtoi se humbja erdhi për shkak të mungesës së përqendrimit.
Kur e ke rezultatin në dorë në fund, nuk besoj që ka shumë nevojë teknike, por ka të bëjë më shumë përqendrimi, që mos të bëhen gabimet dhe mos të pësojmë gol në fund. Ka të bëjë më shumë përqendrimi sesa lodhja. Pas ndeshjes nervozohen të gjithë. Ishim të mërzitur në dhomat e zhveshjes, por ka të bëjë më shumë përqendrimi siç e thashë. Një ndeshje mund të luhet edhe më shumë se 90 minuta, por përqendrimi duhet të jetë gjithmonë, sidomos me këto skuadra të forta si Spanja, sepse për shkak të një gabimi, të bëjnë gol dhe është e vështirë të rikuperohet.



