Nga data 18 deri më 22 maj 2026, rrugët e Shqipërisë do të mirëpresin Turit e 83-të Çiklistik të Shqipërisë, ku pritet të marrin pjesë 20 skuadra elitare nga Shqipëria, Ballkani dhe Europa. Ky event konsiderohet një moment i rëndësishëm jo vetëm për sportin, por edhe për promovimin e imazhit të vendit.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash dhe ka njoftuar akset rrugore që do të kenë kufizime sipas etapave të aktivitetit.
Aktiviteti, i ndarë në 5 etapa, do të zhvillohet në territorin e Republikës së Shqipërisë në datat 18, 19, 20, 21 dhe 22 maj 2026 dhe do të organizohet në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, si dhe bashkitë përkatëse. Në aktivitet do të marrin pjesë skuadra çiklistike nga Shqipëria, vendet e Ballkanit dhe Europa.
Sipas Policisë së Shtetit, janë angazhuar strukturat vendore, Policia Rrugore dhe shërbimet mbështetëse për garantimin e rendit publik, sigurisë rrugore dhe eskortimin e çiklistëve përgjatë itinerarit.
Policia apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të aktivitetit, duke rekomanduar përdorimin e akseve alternative në segmentet ku do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.
Qëllimi i organizatorëve këtë vit ka qenë rritja e standardeve organizative, pjesëmarrja e lartë ndërkombëtare dhe ekspozimi mediatik, me synimin për ta çuar çiklizmin shqiptar në një fazë të re profesionalizimi.
Për herë të parë, Turi i 83-të Çiklistik i Shqipërisë do të transmetohet live, si një mënyrë për të rritur interesin publik dhe për të afruar brezat e rinj me sportin e çiklizmit.



