
Trajneri i Tiranës, Erbim Fagu, foli për MCN TV, pas humbjes në derbi ndaj Partizanit.
Fagu deklaroi se ndjen keqardhje për humbjen, për shkak se sipas tij skuadra bëri mirë. Sipas tij, ekipi duhet të fitojë ndeshjet e mbetura dhe ka besim te “Final Four”.
Më vjen keq për humbjen e sotme, pasi kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Shpresoj shumë që me këto 3 ndeshje të mbetura të japim paraqitje të tilla për të arritur objektivin “Final 4”. Presioni është gjithmonë në ndeshjet derbi, u munduam ta menaxhonim edhe këtë pjesë. Pas kartonit të kuq na u prishën ekuilibrat dhe ishim të pafat. Kishte lodhje fizike, kjo për shkak edhe të ndeshjes së Kupës. Në momentin e golit duhet të ishim më të përqendruar, më në bllok, por për fat të keq pësuam gol.
Kishim një plan B, sigurisht. Por u kushtëzuam nga kartonët e verdhë që morëm. Ndryshuam disa herë zëvendësimet që kishim për të bërë. Sot në çdo faull që ne shkaktonim, merrnim karton të verdhë, nuk e kuptoj. Kjo na kushtëzoi edhe në zëvendësimet. Për të arritur në Final 4 duhet të fitojmë të 3 ndeshjet e mbetura, nuk ka rrugë tjetër.
Unë kam shumë besim, pasi në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë. Kemi pasur stabilitet dhe kemi krijuar raste. Në 3 ndeshjet e fundit do japim gjithçka për gjithçka.



