
Partizani luan një ndeshje të rëndësishme ditën e nesërme, siç është ajo ndaj Teutës. Në prag të kësaj sfide, para mediave, ka folur trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti. Ky i fundit deklaroi se te skuadra e tij nuk mungon motivimi, ndërsa shtoi se me durrsakët luajnë vetëm për fitore.
Janë kampionët në fuqi, pavarësisht se kanë pasur oshilacione, nesër do të jetë një histori tjetër. Skuadra duhet të jetë e përgatitur që do të jetë një histori tjetër nesër dhe duhet të tregohemi profesionist për të marrë maksimumin.
Për ekipet e kreut është problemi i tyre si i motivojnë lojtarët, por ne jemi në garë për Europën. Mendoj që Partizani nuk bën pjesë te skuadrat që i mungon motivimi pasi nuk kemi arritur asgjë. Jemi në garë në të dyja kompeticionet. Skuadra nuk ka shumë freski dhe duket sikur nuk ka motivim, por kemi kalendar të ngjeshur dhe kjo ka ndikuar te gjendja fizike e lojtarëve.
Luftojmë si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Kupa është rruga më shkurtër edhe pse ka më shumë tension, por do të luftojmë edhe në kampionat pasi ka 27 pikë në lojë dhe mund të arrijmë Europën nga kampionati.
Të gjitha skuadrat vuajnë shumë për stadiume dhe mendoj se ka humbur miti i skuadrës vendase. Mund ta kesh më të lehtë kur luan në transfertë.
Statistikat tregojnë që skuadra është në përmirësim e sipër. Ajo që më shqetëson më shumë është mbrojtja që kemi pësuar gola. Jemi përpjekur të përmirësojmë shënimin e golave pasi shkojmë shumë herë para portës dhe nuk jemi shumë të qetë. Duhet të jemi më konkret dhe cinik para portës.
Mehmeti foli edhe për Kallakun, për të cilin tha se ka cilësi fantazisti, por shtoi se ka oshilacione për shkak të problemeve fizike. Në lidhje me Herald Markun, Mehmeti tha se nuk është përshtatur ende me Partizanin.
Në shumë situata, jam munduar që ta përshtat sa më mirë pozicionin e Kallakut. Ai ka cilësi fantazisti, është një numër 10, por e kam shpjeguar që Kallaku ka pasur oshilacione për shkak të probleme fizike. Në momentin kur lojtari ka probleme të tilla nuk mund të arrijë të bëjë më të mirën e tij.
Herald Marku është një lojtar profesionist dhe ka vlerat e tij, sidomos vitin e kaluar te Vllaznia. Marku nuk ka qenë ai që kemi pritur dhe mendoj se nuk është përshtatur akoma te Partizani edhe pse ka cilësi të mira. Ndodh që të mos përshtatesh me një skuadër edhe pse ke cilësi të mira.



