
Bledi Shkëmbi, në një rrëfim në “Një Gotë Rose”, foli për hapat e tij të para në karrierën si futbollist.
Ish-mesfushori deklaroi se e kishte ëndërr të ishte pjesë e Kombëtares dhe Skënderbeut, diçka që e realizoi gjatë karrierës futbollistike.
Shkëmbi kujton edhe momentet e para, kur u bashkua me Skënderbeun, ndonëse nuk kishte mbushur moshën 16-vjeçare.
E kam pasur ëndërr të luaj për Kombëtaren dhe ia arrita. Kur u bëra trajner e kam ëndërruar dhe tani mu dha mundësia të jem trajneri i Kombëtares U-19. Shpresoj të gjithë të jenë të kënaqur me punën time.
Korça është dashuri. Unë jetoj në Tiranë, por për Korçën ndjej dhe kthehem. Që i vogël, mendja më çoi te këmbët, për të luajtur futboll. Kam qenë në shkollë sportive që në klasën e tretë. Që i vogël, kam qenë shoku i topit.
Ndeshjen e parë e mbaj mend. Jam bërë pjesë e ekipit të parë të Skënderbeut, në moshë të vogël, pa mbushur 16 vjeç. Trajner ishte Edmond Gëzdari. Unë isha nga ata fëmijë, që shkoja gjithmonë ën stadium dhe mbrapa porte, për të ndjekur Skënderbeun. Pavarësisht se ku ndodhej skuadra, e kisha ëndërr të isha lojtar i Skënderbeut. Mu dha mundësia të isha lojtar i Skënderbeut dhe për fat të mirë e mbajta mundësinë dhe bëra karrierë të mirë.



