
Drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani, foli për mediat, pas shortit që i vendosi në gjysmëfinale të Kupës, përballë Egnatias.
Sinani deklaroi se shkodranët do të shkojnë në finale dhe të marrin trofeun, që e kanë edhe objektiv sezonal.
Mendoj se të katërt skuadrat janë të forta. Vetë kampionati e ka treguar se diferencat janë të vogla. Egnatia ka treguar gjatë kampionatit që ka stabilitet dhe ka lojtarë cilësorë. Por Vllaznia do zhvillojë ndeshje të mira me Egnatian dhe do të shkojë në finale.
Shpresoj që ky është momenti që Vllaznia të kualifikohet me Egnatian dhe të dalë në finale me njërën prej fituese të çiftit tjetër. Egnatia ka një ekip me lojtarë mjaft të mirë, por jam i bindur që kësaj radhe është radha jonë.
I pyetur se cila është më e rëndësishme për klubin mes titullit dhe Kupës, Sinani deklaroi se skuadra do të luftojë në të dyja frontet.
Duhet bërë maksimumi te të dyja frontet. Nuk di të them cila është më e arritshmja, por di të them që do luftojmë maksimalisht. Kemi 20 e ca lojtarë në dispozicion. Kontingjenti është i mirë, kështu pse të mos pretendojmë në të dyja frontet.
E di që kampionati vlerësohet më shumë, por jam i bindur që do luftojmë si për kampionat, ashtu edhe për Kupë deri në fund. Koha do të tregojë se sa do t’i arrijmë.
Të përmendësh fjalën titull me diferencën që është krijuar, nuk do të kisha dëshirë që t’i vendosja dhe lojtarët nën presion. Megjithatë jam i bindur që do të luftojmë. Shtatë pikë nuk janë shumë. Do të luftojmë maksimalisht deri në fund.



