Taulant Seferi bashkohet me Teutën. Sulmuesi i Tiranës, do të jetë pjesë e durrsakëve për ndeshjet në Kupat e Europës dhe më pas do të rikthehet te bardheblutë.
Teuta ka njoftuar në faqen zyrtare të klubit afrimin e sulmuesit 24-vjeçar, i cili do të niset drejt Ohrit, aty ku “djemtë e detit” po vazhdojnë përgatitjet. Martini merr kështu një sulmues në skuadër për ndeshjet europiane, ku do të kërkojë të shkojë sa më larg të jetë e mundur dhe pse jo të kualifikohen në grupet e kompetcionit.
Kujtojmë se Teuta luan në raundin e parë eliminator në Champions League me moldavët e Sheriff Tiraspol.
“Taulant Seferi huazohet për Kupat e Europës tek Teuta. Emri i katërt që i është bashkuar projektit evropian të kampionëve të Shqipërisë është futbollisti i kombëtares Taulant Seferi. Ai do t’i bashkohet ekipit në formë huazimi. Seferi do të jetë një ndihmë e madhe në UEFA Champions League. Drejtuesit e Teutës falënderojnë presidentin e KF Tirana për bashkëpunimin dhe lejimin e futbollistit për t’u afruar me Teutën. Seferi do t’i bashkohet skuadrës sot në seancën e rradhës stërvitore që do të zhvillohet në Ohër.”, thuhet në njoftimin e klubit durrsak.



