
Fakti se Robert Lewandowski është drejt fundit të karrierës e ka detyruar Bayernin të përveshë mëngët për gjetjen e një zëvëndësuesi ideal për polakun i cili është një bomber i pashoqë .
33 vjeçari është pretenduar nga disa skuadra në kohët e fundit , ndër të cilat përfshihet Chelsea dhe Real Madridi të cilat mendojnë se gjigandi i sulmit mund të gjenerojë ndryshime të mëdha , gjë që e konfirmojnë statistikat e arritura .
Mirëpo Julian Nagelsmann i ka paraprirë largimit të Robert Lewandovskit nga ‘’ Allianz Arena ‘’ dhe ka spikatur një tjetër bomber i cili po lë shenjë tek Fiorentina . Serbi Dusan Vlahovic pëlqehet shumë në Mynih dhe mendohet se mund të jetë referenca e re e sulmit të rekordmenëve të Bundesligës të cilët duan të fitojnë përsëri gjithçka dhe me alternativat e deritanishme shpresat për të realizuar objektivat janë të mëdha .
Me vetëm 21 vite mbi supe golashënuesi i ka dhënë shumë përparësi ‘’ Vjollcëve ‘’ në metrat e fundit duke kontribuar me 12 gola në 14 ndeshje , fakt që nuk është lënë në harresë nga një skuadër që i ka të gjitha mundësitë për ti ofruar një të ardhme ndryshe perlës së italianëve .
Përpos këtyre fakteve , Dusan Vlahovic renditet ndër sulmuesit më produktivë të Serisë A , tek një Fiorentinë që deri në këtë stad të sezonit ka demostruar një lojë ndryshe në krahasim me të shkuarën dhe mbetet në luftë për pjesëmarrjen në Europë sezonin vijues .



