
Zlatan Ibrahimovic mbylli perden e një karriere të gjatë plot trofe të dielën kur papritur njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli në moshën 41-vjeçare.
Sulmuesi zbuloi vendimin e tij për të lënë futbollin në një ceremoni pas fitores 3-1 të Milanit ndaj Veronës që i dha fund sezonit të tij në Seria A dhe aventurës së tij në fushë.
Është koha për t’i thënë lamtumirë futbollit, jo vetëm juve. Ka shumë emocione për mua tani. Forca Milan dhe lamtumirë.
Herën e parë që erdha këtu më dhatë lumturinë, herën e dytë më dhatë dashuri. Më pritët krahëhapur, më bëtë të ndihem si në shtëpinë time, do të jem tifoz i Milanit për pjesën tjetër të jetës sime.
Kështu tha Ibrahimovic para turmës në San Siro, kur njoftoi tërheqjen nga fusha e blertë.



