Sipas Kristo Thoma, vendi i tretë në eliminatoret e Botërorit, do të ishte një sukses për Shqipërinë, teksa vendin e dytë e quan si shumë të vështirë për t’u arritur, sidomos pas asaj humbje ndaj Polonisë. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Thoma tha se ndaj polakëve ishin gabime individuale, duke zbuluar se trajneri Reja, golin e parë të pësuar nga Lewandowski, e kishte përgatitur disa herë në stërvitje.
“San Marinos është ndeshja më e lehtë në histori. Do jetë një fitore dhe nuk do ketë surpriza. Për hir të së vërtetës, Kombëtarja në këtë moment më pëlqen. Në Poloni treguam se dimë të luajmë. Kur pëson një gol të pret gjunjët, por më pëlqeu reagimi i skuadrës.
Skuadra duhet të ishte me më shumë këmbë në tokë. Janë gabime naive. Në informacionet e mia. goli i parë, ishte përgatitur nga Reja disa herë të mos pësohej dhe e pësuam. Është shumë e vështirë për të gjetur gabime të trajnerit në këtë. Nëse ai e përgatit në stërvitje dhe është gabim individual, atëherë nuk është gabimi i trajnerit.
Nuk thashë që jemi një skuadër perfekte. Nuk jemi një skuadër që i fitojmë të gjitha ndeshjet, Ne në short jemi në vazon e katërt. Nëse e mbyllim në vendin e katërt jemi në vend numëro. Nëse e mbyllim në vendin e tretë, do ishte një sukses. Asnjë fitore nuk duhet të na entuziazmojë sa të themi se do shkojmë në Botëror, por as humbja nuk duhet të na demoralizojë.
Reja është i detyruar të zgjedhë ata që janë më në formë. Nuk e shikoj problem, nëse kemi një 11-she stabel apo jo. Nuk e them dot nëse Uzunit dhe Brojës i kanë rënë në qafë. Cikalleshi kryeson me 10 gola në epokën e Rejës. Manaj është stërvitur me Barcelonën, që është diçka jo e vogël. Uzuni apo Manaj është debati më i madh. Një alternim i tyre, do ishte perfekt. Broja është sulmues i të ardhmes. Ka cilësi të jashtëzakonshme. Edhe Bushi i thoshte që nuk kishte asnjë dyshim për këtë.
Në këtë grumbull lojtarësh që kemi, trajneri është i detyruar të zgjedhë. Uzuni ishte titullar me Anglinë, humbi një rast të shkëlqyer. Unë Uzunin e konsideroj pjesë të Kombëtares. Me aq sa e njoh Rejën, e konsideroj një personazh pozitiv. Di të reflektojë dhe të pranojë gabimet. Nuk di të ketë diçka personale me lojtarët. Një trajner nëse ka diçka disiplinore, mund ta linte Brojën në stol gjithë kohën. Nuk ka diçka disiplinore, mendoj unë. Broja e ka portën të hapur te Kombëtarja për meritë të tij.
Ndaj Polonisë ishin gabime individuale që i kushtuan skuadrës. U fokusuam më shumë te Lewandowski ndoshta. Edhe Hungaria i kishte rastet, të cilat mund të shënoheshin dhe të kishim të njëjtin përfundim. Janë gabime individuale në mbrojte. Nuk e besoj që mbrojtja do jetë reparti problematik te Shqipëria. Te goli i parë i Polonisë, kemi një situatë, ku është Manja në mbrojtje dhe markon Glik. Ky lojtar te skuadrat e mëdha, konsiderohet si sulmues. Aty duhej një mbrojtës, pasi Manaj nuk është mbrojtës dhe i iku kundërshtari.
Nuk i di arsyet e nervozizmit të Rejës. Ndoshta edhe ai pas humbjes në Poloni, e ka parë në vështirësi veten. Vendi i tretë do ishte sukses për Shqipërinë.
Nuk është dështim nëse nuk renditemi në vendin e dytë. Do jetë shumë e vështirë për vendin e dytë, sidomos pas humbjes ndaj Polonisë. Këta të fundit janë shumë më lart se ne në renditjen e FIFA-s. Edhe Hungaria është një skuadër e fortë. Ne do bëjmë maksimumin për të shmangur gabimet.”, u shpreh Kristo Thoma.



