
Ish-futbollisti, Ermal Tahiri, në emisionin “Skaner” në MCN TV, është shprehur se trajneri Reja duhet ta kishte aktivizuar Armando Brojën nga minuta e parë ndaj San Marinos, pasi sipas tij, me golin e shënuar ndaj Hungarisë, i shpëtoi stolin teknikut italian, që rrezikonte shkarkimin.
“Të gjithë këta lojtarë luajnë jashtë dhe janë të konfirmuar. E vetmja gjë është t’i vendosësh aty ku duhet. Nuk dua të flas për ndeshjen e sotme, nuk është njësia matëse për ekipin tonë. Shqipëria mund të matet me Hungarinë dhe Poloninë. Sot ishte mundësia që të luante me Brojën nga fillimi. Me golin ndaj Hungarisë, Broja i zgjati kohën në stolin e Kombëtares Rejës, t’ia jepte mundësinë nga minuta e parë.
Mundësia që iu dha Laçit, mund t’i jepej edhe Brojës. Ajo që më bën përshtypje, është se pavarësisht se lëviz shumë dhe krijon, përsëri Uzuni nuk arrin të shënojë, pavarësisht golit të pestë. Ishte e drejtë që iu dha mundësia edhe Mihajt. Bëri mirë në këtë rast.”, u shpreh Tahiri.



