
Partizani është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa ka triumfuar minimalisht në derbin e kryeqytetit ndaj Dinamos.
Të kuqtë i janë falur golit të Esat Malës në minutën e 73, i cili përfitoi nga një gabim i Sofranac në mesfushë.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndonëse rastet nuk mungonin. Të kuqtë e Ilir Dajës u shfaqën dominues në 45 minutat e para, duke krijuar disa raste për shënim, por pa sukses, kjo edhe për meritë të Edvan Bakajt, i cili pasi ndali një gjuajtje të Rrapajt nga jashtë zone, bëri edhe një superpritje ndaj Stenio Junior, pas një gjuajtje me kokë të brazilianit.
“Demat” ishin më kërkues, por rastet nuk munguan edhe për Dinamon, ku vlen të përmendet ai i minutës së 34-t, kur pas një skeme perfekte, Mihana futet në zonë dhe gjuan menjëherë, por Aldo Teqja bën mrekullinë, duke e kapur topin për ta dërguar në goditje këndi.
Pjesa e dytë nisi me Dinamon në sulm, që kërkonte golin e avantazhit dhe mundësinë e kishte në minutën e 52, kur Agim Ibraimi humbi një rast flagrant, duke gjuajtur lehtë dhe topi u ndal nga Belica.
Partizani u mundua të reagonte dhe në minutën e 73 gjeti golin e avantazhit, që në fund i dha 3 pikët skuadrës së Dajës, që ngjitet në vendin e 5-të me 18 pikë, ndërsa Dinamo pëson humbjen e tretë radhazi dhe mban vendin e 7-të me 13 pikë.



