Gazetari i sportit, Edi Hajdini është shprehur se nuk i kanë lënë një shije të mirë lëvizjet e shumta në merkato, nga skuadrat shqiptare. Në emisionin “Sport Zone” në MCN, duke folur për kampionatin, Hajdini tha se të paktën 7 skuadra pretendojnë për titullin kampion, teksa shtoi më tej se më të rrezikuarat deri në fund për të rënë nga kategoria do të jenë Skënderbeu dhe Kastrioti.
“Nuk më lanë një shije të mirë, lëvizjet e shumta të futbollistëve te skuadrat shqiptare. Nuk mund të largosh 8 lojtarë që i ke pasur gjatë gjithë sezonit dhe t’i zëvendësosh me lojtarë të tjerë. Kjo tregon një mungesë profesionalizmi. Përveç Dinamos dhe Egnatias, të tjerat nuk mund t’ia lejojnë vetes lëvizje të tilla.
Me interes pritej VAR. Nuk më la një shije të mirë, mënyra se si arbitrat shqiptarë konsultohen me VAR. Do të heqë gabimet, me apo pa dashje, që ishin prezente sezonin e kaluar. Sigurisht që do ketë edhe paragjykime.
Të paktën 7 skuadra pretendojnë titullin në fund. Për mendimin tim është disi e ekzagjeruar. Duhet ende shumë punë, me aq sa pashë në javën e parë. Me la përshtypje të mira Kukësi, me fitoren ndaj Egnatias. Më pëlqen për mënyrën se si është ndërtuar ajo skuadër. Longo më duket një trajner shumë punëtor dhe jo shumë polemizues, si italianët e tjerë. Pres një skuadër që do të rivalizojë fort për titullin deri në fund. 5 golat në fushën e Laçin, tregojnë për një sulm të frikshëm të Vllaznisë.
Sulmi i Partizanit? Humbja me Teutën nuk është tregues i formës së Partizanit. Me lojtarët që ka, mundësitë për të bërë gjëra të mëdha i kanë. Kaçe do i ndihmojë shumë në fazën sulmuese. Stenio është lojtar i cili do mbajë peshën e sulmit të Partizanit. Kam rezerva për Cardoso. Daja mundohet t’i marrë maksimumin. Sulmi i të kuqve nuk është dobësuar. Këtë sezon, sulmi i Partizanit do arrijë të nxjerrë shumë gola.
Unë shpresoj të mos ndodhë ajo e sezonit të kaluar, ku pas javës së 3 apo 4, presidentët filluan të largojnë trajnerët. Mendoj se që në javën e katërt do të kemi largime trajnerësh. Në fillimin e fazës së tretë do të bëhet edhe ndarja e skuadrave, atyre që do të luajnë për titull dhe të tjerat për vendet e fundit.
Të gjitha skuadrat kanë hyrë me objektiva të qartë. Janë 7 skuadra për kreun. Kastriotin dhe Skënderbeun i shikoj të rrezikuara. Këto dy skuadra, i shikoj që do luftojnë deri në fund për të qëndruar në kategori. Egnatia është një skuadër që ka investuar fort. Mungesa e rezultateve do të ndikojë, por me një trajner si Magani, nuk mendoj se do të dalin pa pikë në javën e dytë.
Dinamo është një emër i madh që i nevojitet kampionatit. Ka shumë tifozë në Shqipëri. Gjithashtu ka ardhur një president me ambicie të mëdha. Edhe nëse nuk e fitojnë titullin këtë sezon, është nga ato skuadra që do i japin tonin kampionatit në Shqipëri dhe jo vetëm.
Me grupin e lojtarëve, Tirana është një nga pretendentët. Shehi e nis nga fillimi. Dua të shikoj se deri ku mund të arrijë me një skuadër që e ka ndërtuar vetë. Kanë lojtarë shumë të mirë. Kanë bërë blerje shumë të mira. Ngo këtë është një vlerë e shtuar për bardheblutë.”, u shpreh Hajdini.



