
Tashmë është zyrtare, Kristian Panuçi do të vijojë të drejtojë Kombëtaren shqiptare të futbollit.
Konfirmimi vjen nga vetë FSHF-ja që ka nxituar t'i quajë të pavërteta lajmet e disa portaleve, të cilat kishin shkruar se italiani do të largohet.
“Nisur nga disa spekulime dhe lajme abuzive që kanë qarkulluar në disa media orët e fundit, Federata Shqiptare e Futbollin dëshiron t’ju informojë se nuk është aspak e vërtetë që jemi në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit. FSHF është duke punuar dhe bashkëpunuar maksimalisht me trajnerin Panuçi për të arritur rezultate sa më të larta në kualifikueset për Kampionatin Europian 2020”, përfundon njoftimi në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Ndërsa nga burime mësohet se Panuçi dhe kreu i futbollit shqiptar, Armando Duka, do të jenë pjesë e delegacionit që do të udhëtojë drejt Dublinit, aty ku më datë 2 dhjetor, Shqipëria do njihet me kundërshtarët që do të ketë në grup për kualifikueset e Kampionatit Europian 2020.



