Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave, në prag të sfidës, që skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme ndaj Dinamos.
Tekniku bardheblu u shpreh se dëshiron të shkruajë historinë ndaj bluve, duke e mbyllur sezonin pa asnjë humbje në derbi.
Shehi tregoi edhe të ardhmen, duke thënë se do të rinovojë me Tiranën dhe firma është çështje ditësh.
Derbi nuk mund të ketë vlerën që ka pasur gjithmonë, për shkak dhe të objektivave që ne i kemi arritur, por dhe fatkeqësisht Dinamo, që është një emër i madh ka zbritur një kategori më poshtë, por që gjithsesi mbetet derbi. Një ndeshje që ka rëndësi. Është derbi i fundit i këtij sezoni dhe duam që të jemi gjithmonë serioz. Duam të jemi gjithmonë fitues. Është një derbi që hyn në histori, sepse çdo gjë është e shkruar dhe ku ka më mirë se sa të shkruash historinë pa asnjë derbi të humbur. Me aq sa mendoj unë Tirana ka tre derbi, dy të qytetit dhe një të futbollit shqiptar me Vllazninë.
Rotacionin jemi munduar që ta bëjmë pak, por edhe kontigjenti i lojtarëve s’është se s’ka luajtur. Lojtarët janë të gjithë të gatshëm. Hoxhallarin do të mundohemi ta lëmë në stol, për t’i dhënë hapësira të tjerëve. Por do të ketë dhe 2-3 lojtarë të rinj”.
E ardhmja e Shehit te Tirana? Mendoj që është vetëm çështje firme, çdo gjë është dakord në parim dhe firma është vetëm formalitet dhe besoj se ajo në ditët në vijim do të përfundohet.



