Kampionati ka mbyllur tre fazat e tij dhe tashmë mbetet për t’u luajtur vetëm faza e fundit, e cila do të vulosë sezonin e rregullt dhe do t’i hapë rrugë më pas fazës “Final Four”.
Në një analizë për “MCN Informacion”, gazetari sportiv Mantho Prokopi vlerëson se Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia e kanë siguruar tashmë një vend në “Final 4”, ndërsa surpriza e këtij sezoni mbetet Partizani.
Kampionati po shkon drejt fundit me një katërshe thuajse të parashikuar, ku tre ekipet e para nuk pritet të ndryshojnë.
Elbasani, Vllaznia dhe Egnatia duket se e kanë prerë tashmë biletën për ‘Final 4’.
E vetmja surprizë është Partizani, që ka bërë një sezon shumë të mirë, pavarësisht dyshimeve në fillim.
Ai theksoi se fillimi i sezonit nga Partizani nuk krijoi pritshmëri për objektiva të mëdha, por ndryshimet në stol dhe përforcimet në merkaton e dimrit kanë ndikuar ndjeshëm në performancën e ekipit.
Partizani ka bërë një punë të shkëlqyer, si në afrimin e trajnerit, ashtu edhe në përforcimet e merkatos.
Kanë qenë disa faktorë që e kanë kthyer në një nga skuadrat më konkurruese.
Mbetet për t’u parë nëse Partizani do të vazhdojë me këtë ritëm dhe do të afrohet më shumë me kreun, fillimisht me Egnatian dhe më pas me Vllazninë, për të sjellë një fazë finale edhe më të fortë dhe spektakolare.



