Ish-trajneri i shumë skuadrave në Superligë Sulejman Starova, aktualisht drejtor në klubin e Teutës, i ftuar në emisionin Skaner në MCN Tv, u shpreh se barazimi ishte rezultati më I drejtë për ndeshjen mes Partizanit dhe Teutës. Sipas Starovës skuadrat nuk luajtën për fitore, kjo edhe për shkak të humbjes së Laçit ndaj Tiranës.
“Partizani ishte në shtesë në Kupë, ndërsa Teuta jo. Nuk pati raste të shumta në këtë ndeshje sepse ishte një luftë e fortë. Skuadrat mendoj se aq dhanë në fushë sa për të marrë një barazim. Teuta tentoi të merrte komandën e lojës edhe pse nuk arriti shumë. Diferenca e madhe ishte se Partizani u rreshtua gabim në mbrojtje dhe luajti me top të gjatë. Kjo solli edhe që Teuta të ishte më lart në pjesën e dytë. Skuadrat ishin të influencuara edhe nga humbja e Laçit. Teuta nuk u fut në fushë për të marrë tre pikët, por për të qenë e kujdesshme,”-u shpreh Starova.



