
Drejtuesit e Tottenham Hotspurit vijojnë me kërkimin e një qendërmbrojtësi, duke qenë se prapavija nuk e ka bindur trainerin Ante Postecoglu.
‘’ Gjelat e Londrës ‘’ janë impresionuar nga rendimenti i Gleison Bremer, titullar i padiskutueshëm tek Juventusi, për të cilin janë të gatshëm të ofrojnë mbi 50 milionë euro.
Braziliani e ka konsoliduar vendin në 11-shen e Massimilliano Allegrit, i cili konsiderohet zëvëndësuesi ideal i Giorgio Chiellinit dhe Leonardo Bonuccit, dy lojtarë të cilët lanë gjurmë tek bardhezinjtë në të kaluarën.
Për shërbimet e 26 vjeçarit po luftojnë edhe të tjerë pretendentë në Premier League dhe kryeqytetasit synojnë t’ia vënë sa më shpejt pikën kësaj historie, për të evituar ndonjë surprizë gjatë rrugës.
Gjatë dy sezoneve me Juventusin, ishi i Torinos po tregon se është një ndër mbrojtësit më të mirë të Serisë A, por ‘’ Spursave ‘’ i duhet të bëjnë një ofertë tunduese, për ti bindur drejtuesit e italianëve.
Gleison Bremer numëron 23 sfida dhe 2 gola deri më tani tek kjo skuadër, e cila po lufton për ndryshimin e historisë në një ndër pesë kampionatet më prestigjoze të Europës.



