
Pavarësisht sezonit mbresëlënës që është duke zhvilluar, drejtuesit e Atletico Madridit janë duke ecur me hapa shpresëdhënës edhe në lidhje me merkaton. “Los Colchoneros” kanë fiksuar Gabriel Menino, i cili aktivizohet në radhët e Palmeiras.
Me vetëm 20 vite mbi supe, mesfushori i talentuar regjistron tre trofe të rëndësishëm me brazilianët duke fituar kupën Libertadores, kupën dhe kampionatin dhe gjithashtu në rast se i referohemi trofeve personale, është përfshirë në 11-shen më të mirë të kupës Libertadores. Përsa i përket “Los Rojiblancos”, duhet shtuar se janë treguar shumë pragmatikë dhe mbështeten fuqimisht nga ndihma e agjentëve të tyre që e kanë ndjekur direkt në ndeshjet e Palmeiras.
Megjithatë, drejtuesit e Palmeiras i janë kundërpërgjigjur në mënyrë direkte duke caktuar klauzolën e prishjes së kontratës, e cila vlerësohet në 60 milionë euro por sipas zërave të shumtë në kampin e 10 herë kampionëve të Paulistas, kjo shifër mund të zbresë në 15-20 milionë euro.
Duhet theksuar se kryeqytetasit nuk janë të vetmit që pretendojnë Gabriel Menino-n dhe do të kenë një luftë të ashpër përpara sepse do të përballojnë forcat pikërisht me rivalin e 1/8 tave në Champions League Chelsea-n për të transferuar talentin e ardhshëm të kombëtares “Seleçao” në të famshmin “Wanda Metropolitano”.
Deri tani, mesfushori nga Morungaba regjistron vetëm 5 takime nën drejtimin e portugezit Abel Braga, të cilat konvertohen në 331 minuta të luajtura, fakt që shoqërohet me një progres të jashtëzakonshëm në fushën e lojës.



