
Egnatia ka zyrtarizuar ditën e sotme afrimin e parë në këtë merkato verore. Rrogozhinasit kanë njoftuar afrimin e mbrojtësit të djathtë, Franci Ymeralilaj. 26-vjeçari ka qenë pjesë e Bylisit në dy sezonet e fundit, ku ka treguar paraqitje të shkëlqyera.
Në sezonin e ri, Ymeralilaj do të vihet nën urdhrat e trajnerit Magani. Te Egnatia ka nisur prej ditësh puna për skuadrën e cila do të luajë në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm. Skuadra nga Rrogozhina nuk kërkon që të jetë vetëm kalimtare në elitë dhe për këtë arsye drejtuesit po punojnë për të afruar në skuadër lojtarë që e njohin mirë kampionatin.
Përveç afrimeve në skuadër, te Egnatia po punohet edhe për rinovimet, ku disa prej titullarëve të sezonit që lamë pas, iu është rinovuar kontrata. Egnatia u rikthye në Kategorinë Superiore pas një sezoni shumë të mirë në Kategorinë e Parë, aty ku e mbylli si fituese e grupit B, teksa triumfoi edhe ne finale ndaj Dinamos, duke marrë kështu trofeun.



