
Nesër nis java me një kryesfidë të rëndësishme në kampionat, përballjen mes Egnatia dhe Dinamo Tirana, një test paraprak që pritet të japë përgjigje për shumë dilema.
Gazetari sportiv Mantho Prokopi, në një analizë për “MCN Informacion”, vlerësoi se të dyja skuadrat kanë shfaqur luhatje të theksuara në rezultatet e tyre së fundmi.
Sipas tij, objektivi kryesor në këtë përballje do të jetë trepikëshi, si mënyra e vetme për të dalë nga momenti i vështirë.
Përballen dy skuadra që aktualisht janë në ‘top katërshe’ dhe synojnë fazën ‘Final 4’, por që nuk po kalojnë formën e duhur për të qenë pretendente të konsoliduara.
Si Egnatia ashtu edhe Dinamo po pësojnë luhatje të mëdha në rezultate. Dinamo, për shembull, numëron gjashtë sfida radhazi pa fitore, me katër barazime dhe dy humbje, sinjale të qarta alarmi.
Është një përballje mes dy skuadrave që, edhe pse janë në zonën ‘Final 4’, nuk po kalojnë një moment të mirë dhe kërkojnë ta kapërcejnë krizën pikërisht ndaj njëra-tjetrës.
Në Rrogozhinë misioni për secilën skuadër do të jetë i qartë: tre pikët, jo vetëm për të kaluar krizën, por edhe për t’u shkëputur nga ndjekësit më të afërt si Partizani Tirana dhe Teuta Durrës, që janë pranë në renditje dhe gati të përfitojnë nga çdo hap fals i rivalëve.



