
Florian Markut i kanë mjaftuar vetëm 90 sekonda për të hedhur në tapet kundërshtarin serb, Sladjan Dragisiç. Ashtu siç kishte paralajmëruar dhe në konferencën për shtyp, kikboksieri shqiptar dhuroi "show" në ring, duke e detyruar kundërshtarin serb të dorëzohet mes një atmosfere të jashtëzakonshme në pallatin e sportit “Asllan Rusi” .
Kështu, Marku mori edhe fitoren e 6-të në po kaq ndeshje në "MMA", ndërsa vlen të theksohet se të gjitha takimet i ka fituar me "Knock Out".
Sfida nisi mjaft emocionuese me Florian Markun që është futur në oktogon, mes ovacionesh teksa mbante në kokë qeleshen. Në këtë sfidë, Marku ka treguar superioritet të padiskutueshëm ndaj kundërshtarit.
Pas fitores ndaj serbit Sladjan Dragisiç me nokaut, luftëtari në MMA, Florian Marku, foli për Supersport, fjalët e para.
“Ky nuk është niveli im. Unë premtoj që pas një apo dy ndeshjesh, do firmos për në UFC, në nivelin më të lartë në këtë sport. Dua të bëj krenarë të gjithë shqiptarët, kur të ngre këtë flamur në UFC. Unë jetoj për këtë sport dhe dua të ngjitem sa më lart. Me ndihmën e menaxherëve, do shkoj akoma më lart.” tha Marku.



