Mesfushori kosovar, Engjëll Hoti do të vazhdojë karrierën te skuadra e Tiranës, në Kategorinë Superiore.
Lojtari vjen nga Llapi dhe kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë zyrtarizuar lëvizjen.
“Me përfundimin e ndeshjeve ndërkombëtare ka përfunduar edhe aventura e Engjëll Hotit me Llapin. Ndonëse me tentativa për ta bindur futbollistin që të vazhdoj me klubin, nuk u arrit marrëveshja për vazhdimin e kontratës dhe ai ka zgjedhur të ndërroj skuadër dhe ambient për ta vazhduar karrierën e tij tek Tirana. Ne e falenderojmë për kontributin e dhënë për klubin gjatë edicionit 2020/21, ku u paraqit në 38 ndeshje (30 kampionat/6 kupë/2 gara evropiane) dhe arriti të realizoi 4 gola dhe 5 asistime. Sukese Engjëll!”, thuhet në komunikatën e Llapit.
Tirana vazhdon kështu me përforcimet, pasi deri tani ka prezantuar edhe afrimin e 4 lojtarëve të tjerë, Vesel Limaj, Realf Zhivanaj, Florjan Përgjoni dhe Redon Xhixha.



