
Shqipëria do të organizojë Kampionatin Europian 2022 të peshëngritjes, i cili do të mbahet nga data 25 maj deri më 5 qershor.
Europiani i peshëngritjes, i cili ishte planifikuar të zhvillohej në Sofje të Bullgarisë, ka ndryshuar destinacion dhe është zhvendosur në Tiranë.
Shkak për këtë janë bërë tensionet e fundit në Federatën e Peshëngritjes në Bullgari, ku ditët e fundit ka pasur përplasje mes presidentit të ri, Arif Majed dhe atij të mëparshmit, Nedelço Kolev.
Në këtë situatë, të hënën u mblodh bordi Ekzekutiv i Federatës Europiane të Peshëngritjes dhe për shkak se nuk garantohet siguria në Bullgari, u vendos që Europiani i këtij viti të zhvendoset në Tiranë.
Ky është një tjetër eveniment i rëndësishëm i peshëngritjes që do të zhvillohet në Shqipëri, pasi më herët është zyrtarizuar se në vendin tonë do të mbahet edhe Europiani për U-20 dhe U-23.



