Komisioni i Displinës pranë FSHF, ka zbardhur vendimet në lidhje me ngjarjet e ndodhura në javën e fundit në futbollin shqiptar. Ndeshja që shkaktoi më shumë polemika ishte ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë, e luajtur në “Air Albania” ditën premte. Shkak për polemikat e krijuara, është bërë penalltia e akorduar në favor të shkodranëve, për prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i kuq, Egzon Belica.
Për shkak të protestave ndaj arbitrit, është dënuar me 2 ndeshje pezullim nga aktivitetet futbollistike, zyrtari i Partizanit, Reinaldo Kalari. Gjithashtu është dhënë paralajmërim për trajnerin Ilir Daja, i cili në rast të përsëritje së sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore. Për dy lojtarët e Partizanit, Jasir Asani dhe Stenio Junior, është hapur hetim disiplinor, për shkak të postimeve të bëra pas ndeshjes, ndonëse nuk ishin në fushë.
VENDIMET– FK Partizani, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, në bazë të neneve 63/1/b, 63/1/e, dhe 64/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i FK Partizani, Reinaldo Kalari, për protestë ndaj vendimit të arbitrit, me gjeste dhe fjalë ofenduese, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i FK Partizani, Ilir Daja, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së sjelljes josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
Çeljen e hetimit disiplinor për lojtarin e FK Partizani, Stenio Markos Da Fonseca Salazar Junior.
Çeljen e hetimit disiplinor për lojtarin e FK Partizani, Jasir Asani.
KF Klosi, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë – Grupi A, kundër F.C Bulqiza, në bazë të nenit 53 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 0-3 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
Lojtari i F.C Bulqiza, Mirjan Pepa, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Klosi, Romero Gjoka, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 47/1/d të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Shënkolli U-21, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore U-21, kundër Akademia e Futbollit U-21, në bazë të nenit 54/1 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
Rrëzimin e kërkesës së FK Apolonia, në lidhje me lojtaren Egzona Gashi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
Rrëzimin e kërkesës së FK Apolonia, në lidhje me lojtaren Liridona Gashi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.



