
Ernest Muçi, bëri një lëvizje të rëndësishme në merkaton e dimrit, duke kaluar nga Legia në Poloni, te Besiktas në Turqi.
Falë paraqitjeve të treguara me ekipin e tij, Muçi ka marrë edhe një ftesë nga trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, për dy ndeshjet miqësore ndaj Kilit dhe Suedisë këtë muaj.
Në lidhje me këtë, sulmuesi foli para mediave, ku deklaroi se kërkon të bëjë mirë në muajt e mbetur, për të qenë gati për Europianin.
Atmosfera është shumë e mirë. Ka qenë gjatë gjithë kualifikuese, një atmosferë fantastike me këtë grup. Jemi shumë të lidhur së bashku dhe një grup shumë i mirë.
Nuk e kam menduar Europianin. Dua të bëj mirë me klubin dhe në këto dy miqësore, që janë shumë të rëndësishme. Janë dy ekipe shumë të mëdha dhe mezi po pres t’i luajmë dhe të tregojmë veten të gjithë.
Jam gati, por e vendos trajneri se kush luan. Duhet të punoj akoma edhe më fort. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe kam pasur minuta. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në këto dy miqësore dhe të tregojmë veten që jemi gati për një rol më të madh në Kombëtare.
Këto tre muaj janë shumë vendimtarë për të gjithë lojtarët e Kombëtares. Duhet të japim më të mirën për klubet tona, por edhe që të jemi pjesë e listës së Europianit. Është zgjedhje e trajnerit, por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën në këto dy miqësore dhe ndeshjet e mbetura në kampionatet respektive. Duhet të kemi një motivim ekstra për fundin e këtij kampionati.



