
Te Laçi kanë pretendime për gjykimin, për sfidën e fundit ndaj Egnatias.
Kurbinasit u mposhtën me rezultatin 0-2, por bardhezinjtë ndihen të vjedhur, për një rast të dyshimtë në minutën e 78-të.
Te Laçi, pretendojnë për penallti, por arbitri Olsid Ferataj, vazhdoi lojën, madje nuk shkoi ta shikojë rastin as në VAR.
Bëhet fjalë për një prekje me dorë të Zejnullai, që sipas arbitrit ishte e rregullt. Klubi i Laçit ka reaguar për këtë, ndërsa kanë kërkuar që arbitri Ferataj, të mos gjykojë asnjë ndeshje të tyre.
NJOFTIMI I LAÇIT:
“KF Laçi, i detyruar nga arbitrimi i bërë, kërkon që Olsid Ferataj mos të jetë më i përzgjedhur në ndeshjet e ekipit tonë, as për të arbitruar në fushë, as në VAR. Është e patolerueshme dhe dashakeqe mos sinjalizimi i tij për të parë rastin e dyshimtë për penallti në favor të skuadrës tonë. Pamjet janë të qarta që na është mohuar një penallti. Këto vendime nuk i shërbejnë lojës si dhe hedhin poshtë investimin e bërë për sistemin VAR, ndaj theksojmë se Olsid Ferataj nuk mund të dërgohet më të gjykojë ndeshje të KF Laçi!”



