Laçi është kualifikuar për në turin e dytë eliminator të Conference League, teksa ka mposhtur ditën e sotme me rezultatin 3-0 Podgoricën, duke përmbysur rezultatin 1-0 të ndeshjes së kaluar.
Kurbinasit zhvilluan një ndeshje me të vërtetë spektakolare në “Elbasan Arena”, aty ku ishin dominues nga fillimi deri në fund. Në pjesën e parë, skuadra e Duros nuk ia doli të gjejë rrugën e rrjetës, pavarësisht se i shkoi shumë afër në disa raste, por ishte portieri Ivezic i cili dukej i pakalueshëm.
Rezistenca e Podgoicës zgjati deri në minutën e 60-të, kur Ardit Deliu zhbllokoi sfidën, pas një topi të mbetur në zonë. Megjithatë Laçi nuk ia doli të gjente edhe një tjetër gol brenda kohës së rregullt për të kompletuar kualifikimin.
Goli i dytë do të vinte në shtesa, kur në minutën e 93-të Regi Lushkja gjuan fort në hyrje të zonës dhe e ndal topin në fundin e rrjetës. Për të vulosur shifrat në 3-0, mendoi Fatmir Prenga i cili në minutën e 114-të, shënoi vetëm pak sekonda pasi ishte futur në fushë.
Kështu Laçi kualifikohet për më tej në Conference League, teksa në turin e dytë i presin rumunët e Universitatea Craiova.



