
Kukësi ka zyrtarizuar ditën e sotme dy largime nga skuadra. Bëhet fjalë për sulmuesin Patrick Eze dhe mbrojtësin Mehdi Hetemaj.
Ky i fundit largohet si lojtar i lirë, pasi ka ndërprerë kontratën me marrëveshje, ndërsa sulmuesi nigerian është shitur te skuadra nga Katari, Al Ahli. Eze ishte një nga lojtarët më të spikatur te skuadra e Kukësit në sezonin që lamë pas, teksa arriti të shënojë plot 15 gola në Kategorinë Superiore. Nigeriani u bashkua me verilindorët në merkaton e verës së kaluar dhe aventura në Shqipëri ka zgjatur vetëm një sezon.
Nga ana tjetër, Hetemaj kishte edhe një vit kontratë me Kukësin, por duke parë minutat e pakta në dispozicion, lojtari i ka kërkuar drejtuesve mbylljen e kontratës dhe kështu ndodhi. Pas sezonit zhgënjyes, te Kukësi priten ndryshime të mëdha në verë, me drejtuesit që do të kërkojnë të formojnë një skuadër pretendente.



