
Prej kohësh tashmë Barcelona nuk dorëzohet për transferimin e Memphis Depay në ‘’ Camp Nou ‘’. Hollandezi e përfundon kontratën me Lyonin në 30 qershor dhe katalanasit gjithmonë do të jenë duke pritur prapa derës për sulmuesin e talentuar . Në rast se gjërat do të shkojnë ashtu siç e kanë parashikuar kuq e blutë do të përfitonin shërbimet e tij me parametër zero , çështje që do ti vinte shumë për mbarë gjigandëve të Spanjës duke qënë se ekonomia e tyre momentalisht nuk është në kushte optimale . Sipas Esport3 kontaktet ndërmjet palëve kanë startuar prej javësh dhe deri në këtë pikë perspektiva është shumë pozitive sepse për më tepër ka patur një takim kokë më kokë ndërmjet agjentit të tij dhe drejtorit të përgjithshëm të Barcelonës Mateu Alemany për të vënë pikat mbi i dhe në një farë mënyre për të konkretizuar diçka paraprakisht.
Megjithatë edhe pse zhvillimet flasin qartazi në favor të ‘’ Blaugranëve ‘’, këta të fundit kanë devijuar disi duke iu referuar ofertës së bërë në merkaton e janarit por asi i tyre nën mëngë është fakti se Memphis Depay ka deklaruar në shumë raste se një ditë dëshiron të zbarkojë në Kataunjë për të plotësuar ëndërrën dhe ta veshë këtë fanellë . Me idenë e tij kuptohet se paga kalon në plan të dytë sepse i ka dhënë prioritet kualitetit dhe Barcelona ia ofron plotësisht diçka të tillë sepse pavarësisht se komponentët e drejtuar nga Ronald Koeman janë nga më të mirët në qarkullim 27 vjeçari do të kishte fatin të luante përkrah lojtarit më të mirë në histori , argjentinasit Lionel Messi . Sulmuesi i lindur në Moordrecht gjithmonë ka rezultuar një ndër preferencat e trainerit të mirënjohur sepse ka patur fatin ta ketë nën urdhërat e tij edhe në kombëtaren e ‘’ Tulipanëve ‘’ .
Përfshirja e Memphis Depay tek Barcelona do ti jepte një plus funksionimit të repartit të avancuar sepse me shpejtësinë që e karakterizon dhe nuhatjen drejt golit do të konvertohej në një figurë brenda fushës pa harruar se ndihma e Lionel Messit do t’ia bënte më të lehtë punën . Me ‘’ Les Gones ‘’ nxënësi i Rudi Garcias i ka bërë shumë mirë detyrat deri në këtë stad të sezonit sepse në 35 ndeshje ka mundur të shënojë 20 gola , statistika që pa dyshim e ngrejnë dukshëm figurën e tij .



