
Të mërkurën, Porto përballet me Interin, në fazën me eliminim direkt në Champions League.
Para kësaj ndeshje, në konferencë për shtyp ka folur trajneri i skuadrës portugeze, Sergio Conceicao. Ky i fundit deklaroi se skuadra ka qëllim të arrijë finalen e kompeticionit më të rëndësishëm për klube. Sipas tij, Porto i ka mundësitë për tu kualifikuar ndaj Interit.
Nuk mund të fitosh në Champions League pa cilësi. Pastaj është distanca e krijuar mes skuadrave që i përkasin kampionateve të mëdha. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi mundësi të luajmë në një finale, që është edhe qëllimi ynë, edhe nëse është i vështirë.
Kemi luajtur shkëlqyeshëm në fazën e grupeve dhe gjithmonë kemi dhënë sinjale të shkëlqyera. Më kujtohet ndeshja kundër Chelsea, i cili më pas u bë kampion i Evropës. Nuk e meritonim të humbnim, ashtu si në raste të tjera. Mendoj se kemi shansin të mposhtim Interin, mund dhe duhet të ëndërrojmë. Është pjesë e jetës.



