
Pavarësisht afrimit të Brahim Diaz nga Real Madrid, te Milani ende janë në kërkim të një fantazisti, për të mbuluar vendin e lënë bosh nga largimi i Hakan Calhanoglu, i cili kaloi te Interi në këtë merkato.
Nga Italia, raportojnë se drejtuesit po ndjekin një shqiptar, për t’i besuar rolin e fantazistit. Enis Bardhi pëlqehet shumë nga italianët dhe nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen ta shikojmë me fanellën kuqezi.
Futbollistit i përfundon kontrata me Levante në sezonin tjetër dhe në rast se spanjollët nuk duan ta humbasin me parametra zero, atëherë janë të detyruar ta shesin në këtë merkato.
Bardhi vlerësohet rreth 15 milionë euro, por një marrëveshje mund të arrihet edhe për një shifër më të vogël.



