
Tenistja ruse Yana Sizikova është arrestuar në Paris ditën e enjte, pasi dyshohet se ka qenë e përfshirë në një skemë trukimi të ndeshjes në turneun e vitit të kaluar “French Open 2020”.
Sipas asaj që raporton “Le Parisien”, tenistja 26-vjeçare u arrestua dhe tashmë po qëndron në paraburgim në Paris. Policia e ka arrestuar rusen në një hotel në Francë, ku ajo po qëndronte, pasi merr pjesë në turneun “Grand Slam”, i cili zhvillohet nga 30 maji deri më 13 qershor.
Federata Franceze e Tenisit ka konfirmuar se Sizikova është në paraburgim, por refuzoi të japë detaje të tjera. Në mediat franceze thuhet se tenistja u ndalua nga policia, pasi dyshohet se ka trukuar një ndeshje në “French Open” të vitit të kaluar, në përballjet dyshe, kur luante në çift me Madison Brengle të SHBA dhe humbën ndeshjen hapëse në grupe 6-7 dhe 4-6 ndaj dyshes së lojtareve rumune Andreea Mitu dhe Patricia Maria Tig.
Këtë vit në “French Open”, Sizikova luajti vetëm një ndeshje në dyshe. Më 3 qershor, Sizikova dhe bashkë atdhetarja e saj Yekaterina Alexandrova humbën ndaj dyshes australiane të Storm Sanders dhe Ajla Tomjanovic në grupe të drejta 1-6; 1-6.



