
Peshëngritësi nga Uganda, Julius Ssekitaleko është arratisur nga grumbullimi me ekipin kombëtar në Japoni. 20-vjeçari ishte planifikuar të merrte pjesë në Lojërat Olimpike, të cilat startojnë vetëm pas pak ditësh.
Megjithatë ai nuk ia doli të kalonte provën dhe ditën e sotme duhej të largohej nga Japonia, bashkë me delegacionin e tij.
Por, sportisti vendosi të arratiste nga grumbullimi ku po qëndronte. Në një letër të cilën ia kishte lënë shokëve ai kishte shkruar: “Jeta në vendin tim është shumë e vështirë. Ju lutem të gjithëve që sendet e mia, t’ia dërgoni bashkëshortes në Uganda”.
Ssekitaleko u arratis nga grumbullimi ditën e premte, ndërsa me vete kishte marrë vetëm celularin, pasi pasaportën e kishte ekipi i Ugandës. Policia është vënë në lëvizje dhe në kërkim të peshëngritësit, teksa thuhet se është parë për herë të fundit rreth 120 milje larg vendit ku po qëndronte.



