
Skuadra e Laçit njeh vetëm largime pas përfundimit të sezonit. Pas Selmanit, Roganovic, Turkaj, Mazrekajt dhe Shkurtajt, i radhës që ka njoftuar “divorcin” me kurbinasit, është mbrojtësi Viktor Velkoski. Ky i fundit ishte pjesë e bardhezinjve prej dy sezonesh, ndërsa tashmë ka dalë lojtar i lirë dhe është në kërkim të një skuadre të re. 27-vjeçari njoftoi largimin nga kurbinasit nëpërmjet rrjeteve sociale aty ku falënderoi klubin, pjesëtarët e stafit dhe tifozët, duke e konsideruar Laçin si shtëpinë e tij. “Me këtë postim dua të them ‘Faleminderit’. Falënderoj klubin e Laçit që në këto dy vite ishte shtëpia ime, shokët e skuadrës, stafin teknik që ishin pjesë e rrugëtimit tim profesional, duke kontribuuar gjithashtu edhe rritjen time individuale. Jam mirënjohës për të gjitha sfidat dhe mundësitë që u shfaqën gjatë këtij rrugëtimi. I uroj klubit më të mirat”, shkruan Velkoski.



