
Sezoni aktual nuk po shkon ashtu siç duhet për Liverpoolin.
Performancat e ‘’ Të Kuqve ‘’ në Premier League dhe Champions League sigurisht kanë lënë për të dëshiruar dhe përgjegjësi për këtë situatë është traineri Arne Slot.
Në zyrat e ‘’ Anfield Road ‘’ kanë filluar të bëhen llogaritë për vijimësinë dhe në listën e anglezëve tashmë është përfshirë Oliver Glasner.
51 vjeçari ka bërë një punë të shkëlqyer nën drejtimin e Crystal Palaces dhe nëse hollandezi nuk do ta ndryshojë situatën rrezikon seriozisht stolin.
Ishi i Az Alkmaarit e nisi shumë mirë eksperiencën me ish fituesit e Champions Leagues, madje duke fituar edhe Premier Leaguen por sigurisht në futboll asgjë nuk është e sigurtë dhe tashmë e ka çdo gjë në disfavor.
Barazimi në shtëpi kundër Sunderlandit përforcoi edhe njëherë idenë se çdo gjë vijon me mëdyshje dhe shqetësimi i drejtuesve është mëse i drejtë.
Për sa i përket austriakut duhet shtuar se e njeh shumë mirë kampionatin anglez, skuadra e të cilit spikat për personalitetin, aspektin taktik dhe mënyrën efikase se si përshtatet në varësi të rivalëve.
Një tjetër fakt kokëfortë dhe shumë domethënës është se në gjashtë sfidat përballë Liverpoolit kryeqytetasit kanë fituar katër prej tyre, ç’ka do të thotë se e njeh me imtësi.
Do të jetë e vështirë por jo e pamundur dhe duhet nënvizuar se Oliver Glasner e përfundon kontratën me londinezët në fundin e sezonit aktual.
Javët që do të vinë konsiderohen të rëndësishme për të ardhmen e gjigandëve të Anglisë dhe më gjerë, ekip në të cilin gabimet nuk tolerohen.



