
Shqipëria mësoi rivalët e grupit në Ligën e Kombeve, pas shortit të hedhur në Paris. Kuqezinjtë do të jenë pjesë e grupit B1, në Ligën B, së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Në lidhje me shortin, foli edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili deklaroi se përqendrimi duhet të jetë vetëm te Europiani, duke ditur që Liga e Kombeve nis në shtator.
Duka tha se në grup nuk do të donte Çekinë, për shkak se luajtëm në kualifikuese, por do të preferonte skuadër tjetër, qoftë edhe Anglinë.
Shorti na vuri përballë me skuadra të të njëjtit nivel, por në përgjithësi kështu është i gjithë grupi B sepse kështu është ndërtuar Liga e Kombeve, me kategori, me grupe dhe janë të gjitha të të njëjtit nivel, të katërt grupet. Grupi jonë mendoj që është i baraspeshuar, do ketë rezultate interesante. Nuk më vjen mirë që luajmë me të njëjtën skuadër, më mirë të provonim me një ekip tjetër por shorti na vuri përballë Çekisë përsëri. Do të vizitojmë sërish Pragën dhe do presim Çekinë në Tiranë. Uroj të kemi të njëjtat rezultate si në kualifikuese.
Megjithëse është shumë e rëndësishme, Liga e Kombeve ka kohë që të fillojë pasi do të startojë në shtator. Ajo që unë kam në mendjen time, në fakt do të doja të isha i përqendruar dhe të njëjtin përqendrim do të doja të kishte edhe trajneri dhe skuadra, të përqendrohemi në kampionatin Europian. Le t’i marrim me radhë gjërat siç i kanë rregullat e futbollit dhe pas kampionatit Europian le të mendojmë edhe për Ligën e Kombeve. Të mendojmë me seriozitet, por nuk duhet të shpërqendrohemi nga Europiani për momentin.
Të përqendrohemi më shumë tek ndeshja e parë me Italinë e më pas te ndeshjet e tjera më vonë. Skuadrat e grupit B janë të gjitha skuadra të të njëjtit nivel. Mund të them që ndonjë skuadër është më e mirë edhe se te Liga A, si për shembull Anglia apo Çekia që janë të një niveli shumë të lartë. Kështu që nuk kisha ndonjë preferencë nga pikëpamja sportive, por nga pikëpamja e eksperiencave të reja do të doja të mos ishte Çekia, le të ishte një skuadër tjetër, qoftë edhe Anglia.



