
Në emisionin “SportZone” në MCN TV, ish-lojtari i Kombëtares, Roland Luçi, tha se ishte dakord që trajneri Edoardo Reja të vazhdonte të drejtonte Shqipërinë edhe në të ardhmen, nëse e ndjen veten të motivuar.
Ai nuk i kurseu superlativat edhe për dy talente të Shqipërisë, Marash Kumbulla dhe Armando Broja, teksa u shpreh se si këta të dy kombëtarja jonë nuk ka pasur kurrë, duke shtuar më tej se mund të arrijnë në nivele të larta europiane.
“Nëse nuk arrin objektivin, ti je i eliminuar. Ekipi ishte shumë afër arritjes së madhe. Skuadra ka 2-3 lojtarë, që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë. Mendoj se do të kemi një të ardhme shumë të mirë. Nuk kemi pasur lojtarë të nivelit të Kumbullës apo Brojës, mendoj se do arrijnë në nivele shumë të larta europiane.
Nuk mund të them me plotgojë, që Reja duhet të vazhdojë. Kjo është edhe si do e ndjejë trajneri, nëse është në gjendje pas këtij skualifikimi dhe arritje. Nëse ai është gati dhe i motivuar, unë do isha dakord që të vazhdojë.”, u shpreh Luçi.



