Nuk ka më dyshime, Kukësi zgjedh trajnerin e ri. Verilindorët i kanë besuar drejtimin e skuadrës një italiani. Diego Logo është trajneri i ri i Kukësit nga dita e sotme.
Ka qenë vetë klubi verilindor që ka zyrtarizuar firmën me teknikun 45-vjeçar. Ky i fundit ka qenë pjesë e disa skuadrave në Europë, por vetëm si ndihmës trajner, ndërsa tashmë do të provojë për herë të parë profesionin e trajnerit. Longo bëhet kështu trajneri i radhës italian, i cili zbarkon në Kategorinë Superiore.
“Futboll Klub Kukësi njofton se Diego Longo është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës! Tekniku italian vjen te ekipi ynë pas një aventure të gjatë si asistent në disa klube të njohura në Europë, por edhe në kombëtaren e Rumanisë! Tekniku 45-vjeçar ishte së fundmi ndihmës i Mircea Luçeskut në klubin e Dinamo Kiev.
Longo ka firmosur sot kontratën me ekipin tonë dhe së bashku me të, ka firmosur edhe asistenti, Amadeo Di Latte! Ish-portieri i Sampdorias dhe Livornos do të ketë rolin e ndihmës trajnerit në skuadër. Trajneri do të prezantohet nesër para mediave në stadiumin "Air Albania", në orën 12:30 minuta, teksa pasdite do të zhvillojë edhe stërvitjen e parë me ekipin. Klubi i Kukësit i uron Longos suksese dhe punë të mbarë”, shkruan klubi verilindor.



