
Sulejman Starova në rolin e specialistit të futbollit në emisionin “Skaner” në MCN TV, tha se ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, janë një mundësi e mirë që trajnerët të aktivizojnë lojtarët që kanë pasur më pak minuta deri tani. Starova u shpreh se ka disa disavantazhe në rast se Kupa do të ishte me ndeshje teke.
“Ky i Kupës së Shqipërisë është një moment i mirë për trajnerët për të aktivizuar ndonjë lojtar që ka më pak minuta apo ndonjë lojtar të ri. Për skuadrat që kanë bërë keq në javët e para të kampionatit, të luanin me më të mirët në Kupë, për të arritur formën më të mirë dhe për të qenë gati. Kupa me ndeshje teke ka edhe disavantazhe. Mund të qëllojë një fushë e keqe. Jemi në kushte të Shqipërisë. Kur mungon infrastruktura, skuadrat e mëdha rrezikojnë eliminimin. Nëse do ishte ndeshje teke, lojtarëve të rinj nuk do i jepej mundësia. Kategoria e parë pritet që të jetë e fortë, por që të bëjnë hapin për Superiore, duhen projekte dhe investime. Me ato që kanë, nuk kanë shanse. Ka disa tentativa, mesa kemi parë.”, u shpreh Starova.



