
Tashmë është zyrtare, Maurizio Sarri është trajneri më i ri i Lazios. Ka qenë vetë klubi kryeqytetas, që nëpërmjet një komunikate, ka bërë të ditur se drejtimi i skuadrës i është besuar teknikut 62-vjeçar.
Sarri rikthehet kështu në stol pas një viti pushim, kur u largua nga drejtimi i Juventusit, pasi dështoi të arrinte sukses në Champions League. Tani italiani nis një aventurë të re si trajner i Lazios, ku do të kërkojë të arrijë objektivat e klubit. Sarri ka nënshkruar me Lazion një kontratë 2-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 3 milionë euro në sezon.
Në Itali, ai ka drejtuar gjithashtu edhe Empolin, Napolin dhe Juventusin në Serie A, teksa ka qenë në stolin e Chelsea, me të cilët arriti të fitojë edhe trofeun e Europa League.
Pas disa ditëve bisedime, tashmë marrëveshja mes palëve është arritur dhe Sarri do të pasojë kështu në stol, Simone Inzaghin, i cili u largua nga Lazio, për të marrë drejtimin e Interit.



