
Igor Angelovski nuk do të jetë më në krye të Maqedonisë së Veriut. Këta të fundit mbyllën aventurën në Europian ditën e sotme, duke u largua pa marrë asnjë pikë. Pas ndeshjes me Holandën ku maqedonasit u mposhtën 3-0, trajneri Angelovski ka njoftuar dorëheqjen dhe largimin nga drejtimi i kësaj kombëtareje.
“Pas turneut do të japim një vlerësim të përgjithshëm. Nuk duhet të jemi të dëshpëruar, është një paraqitje debutuese dhe dua të falënderoj të gjithë futbollistët për mundin e tyre. Kjo është konferenca ime e fundit, dua të falënderoj stafin teknik, futbollistët dhe Goran Pandev, bashkë me të gjitha mediat që bashkëpunuan me ne dhe falënderoj familjen time për përkrahjen. Këto janë momente që do të mbahen mend gjithë jetën. Nuk i dalloj futbollistët dhe nuk dua të veçoj asnjërin prej tyre.
Aventura ime përfundon këtu dhe është konferenca ime e fundit. Kjo do të thotë se nuk do të jem më trajner i Maqedonisë së Veriut që prej 31 korrikut. Ky është një moment që përcollëm shumë për futbollin vendas dhe ju falënderoj për 5 vitet e kaluara së bashku dhe është një shembull që duhet të përcillet nga të gjithë ne’’, tha Angelovski në fjalët e tij.



