
Italia eliminoi ditën e djeshme Spanjën në gjysmëfinale, duke prerë kështu biletën për në finalen e Europianit. Ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve ditën e djeshme para penalltive, ishte momenti kur kapiteni i italianëve Giorgio Chiellini qeshte, ndërsa përballë tij te gjyqtari ishte Jordi Alba i cili u shfaq shumë serioz. Për këtë episod ka folur edhe trajneri i Romës, Jose Mourinho, i cili është shprehur se Chiellini e dinte se ishte i 10-ti në listë për të gjuajtur penalltinë dhe nuk kishte presion.
“Chiellini qeshte sepse e dinte që nuk do të gjuante penallti. Ishte i sigurt se do të ishte i 10-ti në listë, kështu që nuk kishte presion. Ai bëri punën e tij, por merita e madhe i takon të tjerëve. Më vjen keq për dëmtimin e Spinazzola, kthimi në fushë nuk do të jetë para janarit. Do të jetë si blerje e merkatos së dimrit kur të kthehet”, tha Mourinho.



