Trajneri Edoardo Reja publikoi ditën e sotme listën me lojtarët që do të grumbullohen me Shqipërinë për ndeshjet e muajit shtator. Në lidhje me këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Edi Hajdini. Ky i fundit është shprehur se nuk arrin ta kuptojë veprimin e trajnerit Reja, që ka ftuar në Kombëtare mbrojtësin Erjon Hoxhallari dhe në listë nuk bëjnë pjesë lojtarë të tjerë nga kampionati vendas.
“Muçi grumbullohet për herë të parë. E ka merituar edhe më parë të merrte një ftesë. Është më mirë që është grumbulluar tani, pasi po kalon një formë të mirë te Legia. Më bën përshtypje mungesa e lojtarëve nga kampionati shqiptar, teksa është ftuar vetëm Hoxhallari.
Doja të dija pse ka thirrur vetëm Hoxhallarin dhe nuk ka thirrur futbollistë të tjerë nga kampionati vendas?! Muçi kur luante për Tiranën nuk grumbullohej, ndërsa sapo kaloi jashtë u ftua. Bie në sy mungesa e Taulant Xhakës. Nga informacionet e mia, Reja e ka ftuar Xhakën, por ky i fundit ka refuzuar.
Nuk e di, me çfarë kriter e ka thirrur Hoxhallarin?! E vërtetë që në sezonin e kaluar ishte ndër më të mirët, por nuk e di ku u bazua trajneri për ftesën, pasi kampionati ka shumë që ka përfunduar. Hoxhallari e meriton, por përveç tij është Gurishta i Vllaznisë, apo qoftë edhe Bregu që shkëlqeu me Teutën sezonin e kaluar.”, tha fillimisht Hajdini.
Ai gjithashtu ka folur edhe për ndeshjen mes Teutës dhe Vllaznisë, të vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, ku thotë se është e vështirë që në këtë sfidë të zgjedhësh një favorit.
“Duke qenë se është një ndeshje që vjen me një shkëputje nga pjesa e kampionatit. Janë dy skuadra me shumë ndryshime nga kampionati i sezonit të kaluar. Është e vështirë të zgjedhësh favoritin. Risia do të jetë VAR, që përdoret për herë të parë në Shqipëri. Do të jenë 4 mijë të pranishëm në stadium.
Teuta ka ndryshuar gjithë mbrojtjen, por ka disa rikthime, për sa i përket sulmit dhe mesfushës. E njëjta edhe te Vllaznia, por këta të fundit e kanë ruajtur disi më shumë boshtin. Pritet një ndeshje e fortë dhe e luftuar.”, u shpreh Edi Hajdini.



