
Rezultatet e dobëta të Chelseat në fazën e parë të sezonit po rezultojnë një përsëritje e atij pararendës.
‘’ Blutë e Londrës ‘’ , pavarësisht investimit të fuqishëm të Todd Boehly-t ende nuk po e gjejnë rrugëdaljen, fakt cili përforcohet me vendin e 10-të në Premier League, pas 20 sfidave.
Natyrisht që përgjegjësi kryesor është Mauricio Pochettino, i cili po jep maksimumin gjatë kësaj periudhe për ta ndryshuar historinë.
Fuqizimi i metrave të fundit mbetet prioritet absolut i ishi-t të Tottenham Hotspurit, i cili nuk e ka harruar Victor Osimhen.
Sipas ‘TEAMtalk’, pronari amerikan ka përgatitur çekun prej 140 milionë eurosh, shifër e cila reflekton qartazi dëshirën e numrit një të stolit për ta patur në skuadër golashënuesin.
25 vjeçari konsiderohet një ndër sulmuesit e momentit në Europë dhe kryeqytetasit duan t’ia rrëmbejnë Napolit, për të cilin Aurelio Di Laurentis deklaroi në të kaluarën se nuk ka ndërmend të lejojë largimin nga ‘’ Diego Armando Maradona ‘’ për më pak se 100 milionë euro.
Duke iu referuar situatës kritike të anglezëve, arrihet në konkluzionin se i duhet urgjentisht një referent në metrat e fundit dhe Victor Osimhen konsiderohet i duhuri.



