
Çerekfinalja e parë e Kupës së Amerikës ndërmjet Argjentinës dhe Ekuadorit,e programuar për tu zhvilluar me datën 5 korrik në orën 03.00 do ti japë startin kësaj faze.
‘’ Albicelestët ‘’ e Lionel Scalonin vijojnë të konsiderohen pretendentë për ta fituar përsëri këtë kompeticion, të cilët performuan shkëlqyeshëm në Grupin A me tre fitore.
Gjithsesi, ‘’ Trikolorët ‘’ janë një ekip shumë cilësor, edhe pse diferencat nuk kanë nevojë për koment.
Në lidhje me këtë sfidë determinante Felix Sanchez Bas është shprehur:
‘’ Argjentina nuk është një ekip i pamundur, do të japim maksimumin dhe do të shfrytëzojmë çdo situatë. Besojmë se do të zhvillojmë një ndeshje shumë të mirë “, përfundoi spanjolli.
Gjithsesi, numri një i stolit të Ekuadorit u pyet edhe për Lionel Messin, referentin kryesor të 11-shes së Lionel Scalonit:
“ Argjentina është tejet e frikshme me Messin në fushë. Edhe nëse mungon përsëri duhet të kemi kujdes sepse janë kampionët e Kupës së Amerikës në fuqi dhe të Botërorit. Do të jetë një ndeshje historike për ne dhe shpresoj që të jemi në lartësinë e duhur ‘’, ishin këto fjalët e 48 vjeçarit të lindur në Barcelonë.

Ndërkohë nuk kanë munguar as fjalët e Lionel Scalonit përpara kësaj sfide.
Gjatë saj u ndal edhe tek dëmtimi i Lionel Messit, sigurisht shqetësimi kryesor për bardhekaltërit:
“ Do të marrim së shpejti një vendim. Ky lajm shqetëson çdokënd sepse dihet rëndësia e Lios. Do të presim deri në stërvitjen e fundit për të marrë vendimin e duhur “, theksoi traineri nga Pujato.
Gjithashtu u ndal edhe tek sfida ndaj Ekuadorit dhe shtoi:
“ Besoj se në një ndeshje të këtij niveli, statistikat nuk vlejnë. Edhe pse janë në favor të Argjentinës, duhet të kemi kujdes sepse komponentët që ka në përbërje Ekuadrori janë shumë cilësorë “, përfundoi ai.
I pyetur edhe nëse arbitrat deri në këtë moment e kanë favorizuar apo jo Argjentinën, ai u përgjigj:
“ Nuk besoj se është kështu. E njëjta gjë u tha edhe në Botërorin e Katarit por në momentin që ekipi fiton njerëzit gjithmonë kanë një tendencë për thënë që favorizohet nga arbitrat. Eshtë e natyrshme, edhe pse ekziston Vari, gabimet do të jenë prezente “.
Ndërsa për kandidatët, ish lojtari i Deportivo La Corunas deklaroi kështu:
“ Niveli në Kupën e Amerikës është shumë i lartë dhe çdo kombëtare mund të befasojë. Përpara fillimit të kompeticionit thashë që Ekuadorin e shikoj si kandidat për ta fituar dhe ende mendoj kështu “.
Gjithashtu nuk anashkaloi edhe pezullimin në sfidën ndaj Perusë:
“ Shpresoj që situata të tilla mos të ndodhin më. Dua të jem afër lojtarëve dhe ti mbështes në çdo moment “.
Së fundmi nuk la pa përmendur as Lautaro Martinezin, një element shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e 15 herë kampionëve të Kupës së Amerikës:
“ Duam që të vijojë në këtë nivel. Fakti se është rikthyer tek goli na jep shpresë për të arritur objektivat. Jemi të lumtur me kontributin e tij “, përfundoi.



