
Janë mbyllur 6 ndeshjet e Ligës së Kampioneve, ku nuk mungoi spektakli. Ndeshje me të vërtetë e çmendur ishte ajo mes Manchester United dhe Atalanta në “Old Trafford”. Italianët e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, falë golave të Pasalic dhe Demiral, por “djajtë e kuq” nuk u dorëzuan dhe në pjesën e dytë përmbysën gjithçka.
Rashford në minutën e 53, Maguire në minutën e 75 dhe Ronaldo në minutën e 81, i dhanë fitoren anglezëve, që tashmë marrin kryesimin e grupit F. Në të njëjtin grup, Villarreal mposhti 1-4 Young Boys.
Një fitore të madhe mori edhe Juventusi, që mposhti minimalisht në transfertë rusët e Zenit. Goli i Dejan Kulusevski në minutën e 86, i dha 3 pikët bardhezinjve, që tashmë kryesojnë me pikë të plota pas 3 ndeshjeve të para me 5 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar deri tani. Në grupin H, fitoi gjithashtu edhe Chelsea që shkatërroi 4-0 suedezët e Malmo.
Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Bayern Munich ndaj portugezëve të Benfica dhe tashmë kryesojnë grupin E me 9 pikë.
Sfida tjetër ishte ajo mes Lilles dhe Sevilla, e cila u mbyll në barazim pa gola.



