
Tashmë është marrë vesh se rrugët e Antonio Contes dhe Interit do të ndahen . Fitimi i Serisë A konfirmoi edhe një herë superioritetin që mund të ketë çdo skuadër me italianin në stol . Prej kësaj historie Antonio Conte do të dalë i fituar me 7 milionë euro në xhep për arsye të përfundimit të parakohshëm të kontratës me skuadrën nga Milano . Pas këtij lajmi drejtuesit e Interit janë treguar të shkathët duke shfrytëzuar të gjithë potencialin për gjetjen e një kandidati të përshtatshëm që do të vijojë rrugën e lënë përgjysëm nga 51 vjeçari.
Drejtori sportiv Beppe Marotta ka marrë përgjegjësinë e menjëhershme për ta konkretizuar këtë çështje dhe i ka hedhur sytë tek traineri i Lazios Simone Inzaghi . Sipas ‘’ Sky Sports ‘’ ish sulmuesi i lindur në Piacenza ka bërë një punë për tu duartrokitur me kryeqytetasit duke i dhuruar privilegjin e pjesmarrjes në Uefa Europa League në sezonin vijues . Lazio e ka përfunduar sezonin në vendin e 6-të duke lënë pas Romën fakt që shënon një sukses më vete për arsyen e rivalitetit që kanë me njëra-tjetrën .
Puna për të nuk ka rezultuar aspak e lehtë për shkak të konkurrencës në Scudetto dhe ky sukses është shoqëruar me interesin e Interit . Kriza ekonomike e kampionëve të saposhpallur të Italisë që kanë lënë prapa një borxh të konsiderueshëm prej 90 milionë eurosh nuk lë vend për goditje cilësore në merkato dhe duhet ti hapë dritën jeshile shitjes së disa peshave të rënda për ti dhënë fund problematikës së shkaktuar . Pavarësisht këtij aspekti entuziazmi tek zikaltërit vijon me shumë forcë sepse kampionati 19-të në histori do ti rikthejë pas 6 vitesh mungesë në Uefa Champions League ku duhet të tregojnë shumë kujdes .
Simone Inzaghi gëzon një eksperiencë për tu duartrokitur sepse nën drejtimin e tij lacialët kanë fituar dy superkupa dhe një kupë të Italisë , arritje të konsiderueshme për të drejtuar Interin . Alternativa e Simone Inzaghit nuk është e kushtueshme dhe nëse do të merrte rrugën drejt ‘’ Giusseppe Meazzas ‘’ do të ketë si synim kryesor ruajtjen e titullit të fituar pas shumë sezonesh dhe përfaqësimin dinjitoz në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube .



